Në ambientet e Entit Shtetëror të Revizionit u mbajt takim dypalësh me delegacionin e Institucionin Suprem të Rumanisë, të kryesuar nga kryetarja e Gjykatës së Llogarive të Rumanisë, znj. Mirela Călugăreanu.
Kryerevizori shtetëror, mr. Maksim Acevski, e priti delegacionin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve supreme të revizionit, si mekanizëm kyç për shkëmbimin e njohurive dhe përmirësimin e praktikave të revizionit.
“Bashkëpunimi me kolegët nga Rumania paraqet mundësi për përmirësimin e standardeve profesionale dhe për promovimin e përbashkët të revizionit si mjet për menaxhimin më të mirë dhe përgjegjësi më të madhe në sektorin publik,” theksoi mr. Acevski.
Në kuadër të takimit u prezantuan aktivitetet dhe rezultatet kryesore të Entit Shtetëror të Revizionit, ndër të cilat: Raporti Vjetor, qasja drejt krijimit të vlerës së shtuar nëpërmjet punës së revizionit, revizionet e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe monitorimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, vizualizimi i rezultateve të revizionit dhe strategjinë për komunikim të institucionit.
Kryetarja e Institucionit Suprem të Revizionit të Rumanisë, znj. Mirela Călugăreanu, theksoi rëndësinë e besimit institucional dhe dialogut të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve supreme të revizionit:
“Takimi i sotëm paraqet dëshmi të përcaktimit tonë të përbashkët për të ndërtuar partneritete të bazuara në profesionalizëm, transparencë dhe vlera të përbashkëta,” deklaroi ajo.
Në kuadër të vizitës, kryetarja Călugăreanu dhe kryerevizori shtetëror Acevski zhvilluan takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, ku u diskutua për rolin e institucioneve supreme të revizionit në mbështetje të proceseve demokratike dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Takimi përfundoi me konkludimin e përbashkët se ekziston potencial i fuqishëm për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy institucioneve, veçanërisht në kuadër të revizioneve të ardhshme paralele dhe iniciativave të përbashkëta në fusha me interes të përbashkët.