Enti Shtetëror i Revizionit ka përmbyllur me sukses Programin Vjetor të Punës për vitin 2025, me ç’rast Kryerevizori Shtetëror, m-r. Maksim Acevski, dorëzoi Raportin Vjetor për revizionet e kryera dhe punën e EShR-së për vitin 2025 te Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi.
Gjatë vitit 2025, Enti Shtetëror i Revizionit realizoi 76 revizione, ku përfshiu 244 subjekte dhe përgatiti 120 raporte të revizionit. U konstatuan gjendje dhe u dhanë 1.073 rekomandime, të orientuara drejt përmirësimit të punës së institucioneve, menaxhimit më efikas të mjeteve publike dhe forcimit të llogaridhënies në sektorin publik.
Raporti Vjetor thekson rëndësinë e revizionit si një instrument i cili nuk përfundon vetëm me konstatimin e gjendjeve, por synon të nxisë përmirësimin e proceseve dhe praktikave në institucionet publike.
Në këtë drejtim, Kryerevizori Shtetëror, m-r. Maksim Acevski thekson:
„Revizioni, në vetvete, nuk sjell ndryshime. Ndryshimet i sjellin institucionet përmes zbatimit në kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme të rekomandimeve të revizionit. Prandaj, përdorimi i raporteve të revizionit si instrument për përmirësimin e punës së institucioneve mbetet përgjegjësi e përbashkët e të gjithë bartësve të funksioneve publike.“
Aktivitetet e revizionit gjatë vitit 2025 përfshinë fusha me rëndësi për qytetarët dhe interesin publik, ndër të cilat menaxhimi i mjeteve publike, prokurimet publike, investimet kapitale, digjitalizimi, shëndetësia, arsimi, infrastruktura, mjedisi jetësor dhe fusha të tjera prioritare.
Përmes një pune të pavarur, objektive dhe profesionale, Enti Shtetëror i Revizionit vazhdon të mbetet një shtyllë e qeverisjes së mirë, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik.