Delegacioni i Entit Shtetëror të Revizion, i udhëhequr nga Kryerevizori shtetëror, mr. Maksim Acevski, së bashku me Zëvendës kryerevizorin shtetëror, mr. Orhan Ademi, dhe këshilltaren e kryerevizorit shtetëror, znj. Tanja Janevska, mori pjesë në Kongresin e 25-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Revizionit (INTOSAI) – INCOSAI, i cili u mbajt nga 27 deri më 31 tetor 2025 në Sharm el-Sheikh, Republika Arabe e Egjiptit.
Në seancat plenare të Kongresit u diskutuan dy tema kryesore:
Tema I: ,,Roli i ISR-së në revizionin e bankave qendrore dhe të aktiviteteve qeveritare gjatë krizave financiare dhe ekonomike”;
Tema II: ,,Përdorimi i inteligjencës artificiale në revizion”.
Përveç seancave plenare, ngjarja përfshiu edhe takime të trupave punuese të INTOSAI-t, diskutime në panel, aktivitete anësore, hapësirë ekspozuese të institucioneve supreme të revizionit, organizatave dhe trupave ndërkombëtare, si dhe numër të madh takimesh bilaterale.
Në lidhje me temën e parë kryesore, me ftesë të Gjykatës Franceze për Revizion, më 31 tetor 2025 Kryerevizori shtetëror, mr. Maksim Acevski, mori pjesë si panelist në ngjarjen paralele të JURISAI – Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Revizionit me juridiksion gjyqësor, me temë ,,Roli i ISR-së në llogaridhënien e menaxherëve publik në zbatimin e politikave si përgjigje ndaj krizave ekonomike dhe financiare’’.
Në fjalimin e tij me temë ,,Revizionet që lidhen me përgjigjen e krizës së COVID-19 dhe bashkëpunimin me prokurorinë publike”, i paraqiti rezultatet dhe efektet e pesë revizioneve të kryera nga Enti Shtetëror i Revizionit në lidhje me ballafaqimin me pasojat nga pandemija, prokurimet publike të materialeve mjekësore, përdorimin e donacioneve dhe masat për mbështetjen e sektorëve ekonomik të prekur nga kriza, si dhe bashkëpunimi me Prokurorinë Publike, me të cilën ESHR ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi dhe është vendosur shkëmbimi i informacioneve dhe njohurive eksperte, me qëllim përmirësimin e efekteve të revizioneve.
Gjatë Kongresit, delegacioni i Entit Shtetëror të Revizionit zhvilloi disa takime me përfaqësues të lartë të institucioneve supreme të revizionit dhe organizatave ndërkombëtare.
Më 29 tetor 2025, delegacioni i ESHR-së mori pjesë në takimin me SH.T. dr. Husam Alangari, kryetar i Gjykatës së Përgjithshme të Revizionit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, lidhur me Fondin për Përmirësimin e Performancës së ISR-së (FISP), nga i cili ESHR-së në vitet e fundit iu ndanë grante për blerjen e pajisjeve të TI-së për forcimin e kapaciteteve institucionale për revizion. Kryerevizori shtetëror, mr. Maksim Acevski, shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme të Fondit dhe për mundësitë që ai ofron për zhvillimin e kapaciteteve institucionale të institucioneve supreme të revizionit.
Pjesëmarrja në Kongres mundësoi realizimin e takimit bilateral me nikoqirin Sh.T. Mohamed El-Faisal Youssef, Kryetar i ISR-së së Egjiptit dhe Kryetar i INTOSAI, ku në një atmosferë të ngrohtë nga të dyja palët u shpreh interes për thellimin e bashkëpunimit bilateral, si dhe bashkëpunimit në kuadër të trupave punuese dhe organizatave rajonale të INTOSAI.
Më 31 tetor 2025 u zhvillua takim i rëndësishëm bilateral me z. K. Sanjai Murti, Kryerevizor shtetëror i Indisë, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm, veçanërisht në fushat e revizionit të mjedisit jetësor, përdorimit të TI-së dhe inteligjencës artificiale në revizionet, si dhe zhvillimin e kapaciteteve përmes trajnimeve në qendra ndërkombëtare të specializuara. Z. Murti shprehu gatishmërinë e ISR-së së Indisë për të thelluar bashkëpunimin bilateral me ESHR-në, në fusha me interes të përbashkët.
U zhvillua gjithashtu një takim pune me delegacionin e Gjykatës së Revizionit të Rumunisë, ku në emër të Kryetares, znj. Mirela Kalugareanu, iu dorëzua një letër mirënjohjeje për mbështetjen që ESHR i ka dhënë kandidaturës së Gjykatës së Revizionit të Rumunisë për çmimin Kimi Makwetu, i cili jepet gjatë INCOSAI.
Pjesëmarrja në Kongres mundësoi gjithashtu shkëmbimin e informacionit me organizatat rajonale të INTOSAI-t, ndër të cilat me AFROSAI, ASOSAI, ARABOSAI dhe EUROSAI, të cilat kishin përfaqësitë e tyre në kuadër të Kongresit. Delegacioni i ESHR-së i shqyrtoi mundësitë për intensifikimin e aktiviteteve të ardhshme dhe pjesëmarrjes në trupat punuese dhe iniciativat e projektit të INTOSAI-t dhe IDI-t.
Gjatë Kongresit u miratua Deklarata e Sharm El-Sheikh, e cila thekson angazhimin kolektiv të anëtarëve të INTOSAI-t për përmirësimin e revizioneve të fondeve publike në kushtet e transformimeve globale.
Pjesëmarrja e ESHR-së në XXV INCOSAI paraqet konfirmim për rolin aktiv dhe të dukshmërisë ndërkombëtare të institucioni brenda komunitetit global të institucioneve supreme të revizionit, si dhe përkushtimin e saj në përmirësimin e revizionit shtetëror, transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin me fondet publike.