Në periudhën nga 30 qershori deri më 1 korrik 2026, delegacion i Entit Shtetëror të Revizionit, i udhëhequr nga Kryerevizori shtetëror mr. Maksim Acevski, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën Franceze të Revizionit (Cour des comptes).
Në kuadër të vizitës u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Entit Shtetëror të Revizionit dhe Gjykatës Franceze të Revizionit, nga Kryerevizori shtetëror mr. Maksim Acevski, dhe Kryetarja e Parë e Gjykatës Franceze të Revizionit, znj. Ameli de Monshalen Memorandumi paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave profesionale dhe forcimit të kapaciteteve institucionale të të dy institucioneve supreme të revizionit.
Gjatë takimit, Kryerevizori shtetëror shprehu mirënjohjen ndaj Gjykatës Franceze të Revizionit për mundësinë e ofruar që një revizor nga Enti Shtetëror i Revizionit të marrë pjesë në revizionin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), së bashku me ekipin e Gjykatës Franceze të Revizionit. Kjo mundësi përbën një tjetër dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm dhe të nivelit të lartë të besimit të ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve supreme të revizionit.
Gjatë vizitës u zhvilluan disa takime pune kushtuar shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në fushën e revizionit shtetëror. Vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes teknike në kuadër të Fondit për Luftën kundër Korrupsionit, monitorimit të zbatimit të rekomandimeve revizore, revizionit në kohë reale, raporteve tematike të revizionit që lidhen me tranzicionin ekologjik, si dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në punën e institucioneve supreme të revizionit.
Në kuadër të bashkëpunimit të vendosur, deri në fund të vitit 2026 do të realizohet një seri punëtorish kushtuar shkëmbimit të përvojave në fushën e parandalimit të korrupsionit. Në këto punëtori, përveç përfaqësuesve të dy institucioneve supreme të revizionit, do të ftohen edhe përfaqësues të institucioneve kompetente për trajtimin e rasteve të dyshimeve për keqpërdorim dhe korrupsion të konstatuara në raportet e revizionit.