dzr
ENTI SHTETËROR
I REVIZIONIT
GUARDIAN I FONDEVE PUBLIKE

Janë konstatuar dobësi në planifikimin dhe realizimin e prokurimeve publike në Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive

03.03.2026

                                                                                    ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT

                                                                                                          - Njoftim për mediat -        

Shkup, 04.03.2026

 Janë konstatuar dobësi në planifikimin dhe realizimin e prokurimeve publike në Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizion të pajtueshmërisë për prokurimet publike në Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive për vitin 2023 dhe ka konstatuar dobësi në pjesën e planifikimit të prokurimeve publike, dhënies së kontratave për prokurime publike, ndjekjes dhe konfirmimit të mallrave dhe shërbimeve të realizuara, si dhe në sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm mbështetës.

Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizion të pajtueshmërisë me temë ,,Prokurimet publike në Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive (më parë Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive) për vitin 2023”.

Me revizionin e kryer janë konstatuar disa dobësi që kanë të bëjnë me:

  • fazën e planifikimit, e cila bazohet në të dhëna historike;
  • mungesën e analizës së nevojave reale;
  • mungesën e hulumtimit të kushteve të tregut dhe
  • realizimin e kontratave pa dokumentacion mbështetës të besueshëm.

Revizioni konstatoi se Ministria nuk ka miratuar akt të brendshëm për rregullimin e përgjegjësive në procesin e prokurimeve publike. Vlera e vlerësuar e prokurimeve është përcaktuar ekskluzivisht mbi bazën e të dhënave historike, pa analizë të kushteve të tregut dhe të konsumit real. Kjo praktikë ka rezultuar me planifikim joreal, ku në 45% të kontratave, përkatësisht nga gjithsej 20 kontrata, në 9 prej tyre është evidentuar realizim i ulët (nën 55% të vlerës së kontraktuar), ndërsa 1 kontratë nuk është realizuar fare.

Kjo gjendje kontribuon në planifikim të papërshtatshëm dhe joreale të mjeteve të nevojshme për përmbushjen e kompetencave të Ministrisë dhe ndikon në rezervimin e mjeteve nga Buxheti në shuma më të larta se ato realisht të nevojshme.

Sa i përket zbatimit të procedurave të prokurimeve publike, me të cilat duhet të sigurohet ligjshmëria, transparenca dhe trajtimi i barabartë i operatorëve ekonomikë, me revizionin e kryer në 18 procedura të zhvilluara janë konstatuar mospërputhje në zbatimin e dispozitave të Ligjit për prokurimet publike, të cilat ndikojnë në transparencën dhe rregullshmërinë e procedurave.

Konkretisht, është konstatuar se në Sistemin Elektronik të Prokurimeve Publike ngarkohen vetëm deklaratat për konflikt interesi të kryetarit të komisionit, ndërsa deklaratat e anëtarëve të tjerë nuk publikohen. Në tetë procedura, edhe pse në shpallje dhe në dokumentacionin e tenderit ishte paraparë lidhja e marrëveshjes kornizë, janë lidhur kontrata individuale. Një pjesë e njoftimeve për kontratat e lidhura dhe të realizuara nuk janë publikuar brenda afatit të përcaktuar me ligj, ndërsa katër kontrata janë nënshkruar para dorëzimit të garancisë bankare, edhe pse ajo përbën kusht për lidhjen e tyre.

Parregullsi janë konstatuar edhe gjatë realizimit të kontratave për shënimin e ngjarjeve të rëndësishme (,,Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Dita e Alfabetit Shqiptar”), në vlerë të përgjithshme prej 9,6 milionë denarë.

Për ngjarjet e përmendura janë paguar fatura në shumën mbi 5,2 milionë denarë, por atyre nuk u është bashkëngjitur dokumentacion mbështetës (,,specifikime për akomodime, lista të mysafirëve, kontrata me ekspertë të angazhuar”) që do të konfirmonte se shërbimet janë kryer realisht dhe që do të përbënte bazë për evidentimin e transaksioneve në librat kontabël. Gjithashtu, në dokumentacionin e tenderit nuk janë përkufizuar sasi të sakta të mallrave dhe shërbimeve, vlera e vlerësuar është bazuar në të dhëna historike pa analizë të detajuar, nuk është caktuar person për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave, ndërsa raportet për aktivitetet e realizuara nuk janë nënshkruar nga personi përgjegjës. Kjo gjendje pamundëson konfirmimin se mjetet e shpenzuara janë në përputhje me nevojat reale dhe se janë përdorur sipas parimeve buxhetore.

Gjithashtu gjatë zbatimit të kontratave të tjera janë konstatuar lëshime që tregojnë për mekanizma kontrolli të pamjaftueshëm dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, si në vijim:

  • te prokurimi i pajisjeve informatike, me kontratë të lidhur në vlerë prej 999 mijë denarë, nuk janë siguruar specifikime të detajuara teknike në ofertë, si dhe nuk është përpiluar procesverbal për pranimin cilësor dhe sasior të pajisjeve;

  • për mirëmbajtjen e sistemit të ftohjes dhe ngrohjes, për të cilin është lidhur kontratë në vlerë prej 600 mijë denarë, për shërbimet në vlerë prej 587 mijë denarë nuk janë dorëzuar urdhra pune të nënshkruar nga personi i autorizuar, gjë që nuk mundëson konfirmimin se shërbimet janë kryer realisht;

  •  
  • gjatë prokurimit të materialeve zyre, për të cilat është lidhur kontratë në vlerë prej 732 mijë denarë, nga të cilat janë realizuar 583 mijë denarë (79%), është konstatuar se megjithëse kontrata parashikon furnizim sukcesiv, porositë nuk janë dërguar në mënyrë elektronike dhe nuk është vendosur evidencë materiale për pranimin dhe shpërndarjen e materialeve. Njëheri, kontrata nuk përmban afat kohor maksimal prej 12 muajsh, siç ishte paraparë në shpallje;
  • te shërbimet për larjen e automjeteve në vlerë prej 354 mijë denarë, ofertuesi nuk ka dorëzuar dëshmi për posedimin e objektit përkatës (lavazh për automjete), siç parashihej në dokumentacionin e tenderit, dhe pjesa më e madhe e shërbimeve janë kryer për automjete që nuk janë në pronësi të Ministrisë, si dhe
  • te prokurimi i mjeteve për higjienë dhe dezinfektim në vlerë prej 413 mijë denarë, është konstatuar se te një ofertues çmimet jashtëzakonisht të ulëta (5 dhe 9 denarë) nuk janë arsyetuar, ndërsa nga gjithsej 29 zëra janë furnizuar vetëm 5, me çmimin më të lartë.

Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, revizioni ka dhënë rekomandime për ndërmarrjen e masave nga institucionet kompetente dhe personat përgjegjës, me qëllim sigurimin e përdorimit transparent dhe të duhur të mjeteve publike.

 

Press kontakt:

Albiona Mustafa Muhaxhiri  +389 72228 203 [email protected] 
Mijalçe Durgutov  +389 70 358 486 [email protected] 
Martin Duvnjak    +389 75 268 517 [email protected]