Enti Shtetëror për Revizion, në bashkëpunim me SIGMA, është organizator i një punëtorie ndërkombëtare dyditore me temë “Revizioni i mjedisit jetësor dhe revizioni i objektivave për zhvillim të qëndrueshëm”, e cila po mbahet më 8 dhe 9 prill 2026 në Shkup.
Ngjarja bashkon përfaqësues të Institucioneve Supreme të Revizionit nga rajoni dhe më gjerë, si dhe ekspertë nga SIGMA, UNDP dhe Gjykata Evropiane e Revizorëve , me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e qasjeve të revizionit në përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike.
Në kuadër të punëtorisë, pjesëmarrësit diskutojnë për qasjet bashkëkohore në revizionin e mjedisit dhe rolin e revizionit në vlerësimin e politikave publike të lidhura me ndryshimet klimatike. Theks i veçantë vihet mbi ndikimin e rreziqeve klimatike në financat publike, si dhe mbi nevojën për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në zbatimin e politikave ekologjike.
Njëkohësisht, përmes prezantimeve dhe diskutimeve në panel mundësohet shkëmbimi i përvojave konkrete dhe praktikave revizore nga disa vende të rajonit dhe Evropës, në fusha si menaxhimi i përmbytjeve, efikasiteti energjetik, biodiversiteti dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike. Punëtoria është konceptuar si platformë interaktive që nxit diskutim të hapur dhe avancimin e qasjeve metodologjike në revizionin e mjedisit jetësor.
Në këtë drejtim, shqyrtohen praktika të mira të bazuara në analizën e përvojave ndërkombëtare revizore, si dhe standardet e reja për raportim mbi ndryshimet klimatike në sektorin publik, përfshirë edhe standardin IPSASB SRS 1, i cili paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë dhe transparencës së raportimit financiar dhe jofinanciar.
Kryerevizori shtetëror, mr. Maksim Acevski, në fjalën e tij theksoi se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik serioz sistemik që kërkon reagim institucional të koordinuar dhe në kohë.
,,Ndryshimet klimatike nuk janë më çështje e së ardhmes, por një realitet që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Roli i institucioneve supreme të revizionit është të sigurojnë vlerësim të pavarur dhe objektiv për gatishmërinë e institucioneve në përballjen me këto sfida.
Përmes revizioneve të suksesit dhe të pajtueshmërisë kontribuojmë në avancimin e politikave publike dhe forcimin e llogaridhënies. Enti Shtetëror i Revizionit tashmë po ndërmerr hapa konkretë në këtë drejtim, përfshirë edhe zbatimin e skanerit klimatik si mjet për vlerësimin e gatishmërisë së institucioneve”, theksoi Kryerevizori shtetëror.
Punëtoria paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të kapaciteteve të revizorëve dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim përfundimtar avancimin e revizionit të mjedisit jetësor si një segment i rëndësishëm në arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm.
Në kuadër të punëtorisë, Kryerevizori shtetëror zhvilloi takim bilateral me Presidentin e Gjykatës së Revizionit të Republikës së Turqisë, z. Metin Jener, dhe delegacionin e tij, me ç’rast u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të praktikave të revizionit, forcimit të kapaciteteve profesionale dhe inicimit të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.