Më 11 shkurt 2026, në Kuvend u mbajt debat publik i Komisionit për Financim dhe Buxhet me temë “Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit”, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup.
Në kuadër të ngjarjes u nënshkrua Marrëveshje Donacioni për dhurimin e pajisjeve të TI-së ndërmjet Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Entit Shtetëror të Revizionit, e cila u nënshkrua nga Sh.T. Ambasadori z. Kilian Vall, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, dhe z. Maksim Acevski, Kryerevizor shtetëror i Entit Shtetëror të Revizionit.
Donacioni është realizuar në kuadër të projektit “Institucionet transparente dhe llogaridhënëse nxisin kulturën e integritetit dhe promovojnë besimin publik” dhe është dedikuar për mbështetjen e modernizimit dhe forcimin e kapaciteteve operative të Entit Shtetëror të Revizionit.
Debatin publik e hapi znj. Sanja Lukarevska, kryetare e Komisionit për Financim dhe Buxhet, ndërsa me fjalë hyrëse u drejtuan z. Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Ambasadori z. Kilian Vall dhe Kryerevizori shtetëror, mr. Maksim Acevski, me ç’rast u theksua rëndësia e mbikëqyrjes efektive parlamentare, roli i Entit Shtetëror të Revizionit në sigurimin e llogaridhënies dhe rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar në avancimin e sistemit të financave publike. Fjalim mbajti edhe z. Bojan Stojanoski, kryetar i Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, i cili theksoi rolin kyç të Entit Shtetëror të Revizionit si institucion lider në sektorin publik.
,,Si Kryetar i Kuvendit, më gëzon veçanërisht fakti që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Enti Shtetëror i Revizionit kanë bashkëpunim profesional të shkëlqyer dhe gjithnjë e më të fuqishëm. Me siguri mund të them se për Kuvendin, Enti Shtetëror i Revizionit nuk përfaqëson vetëm institucion për kontroll financiar, as vetëm një organ mbikëqyrës, por mbi të gjitha një partner që na siguron informacione të besueshme për mënyrën se si menaxhohen institucionet dhe burimet e qytetarëve.” – theksoi Kryetari Gashi.
Ambasadori z. Kilian Vall theksoi se mbikëqyrja parlamentare është efektive vetëm kur është sistematike, e bazuar në prova dhe e orientuar drejt rezultateve. Angazhimi i vazhdueshëm me gjetjet e revizionit është thelbësor për të siguruar menaxhim transparent me burimet publike dhe në interesin më të mirë të qytetarëve.
Kryerevizori shtetëror mr. Maksim Acevski në fjalimin e tij theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit përbën shembull të lidhjes funksionale institucionale në shërbim të interesit publik. Përmes respektimit të vazhdueshëm të parimeve të pavarësisë, profesionalizmit dhe mbështetjes reciproke institucionale krijohen kushtet për forcimin e mëtejshëm të llogaridhënies publike dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.
Ai gjithashtu shprehu bindjen se përmes bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe konstruktiv, si dhe përmes monitorimit sistematik të zbatimit të rekomandimeve të revizionit, do të vazhdojë të kontribuohet në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit në sektorin publik, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane.
Prezantime që përfshinë tema të lidhura me llojet e raporteve të revizionit të dorëzuara në Kuvend, pasqyrë të revizioneve lidhur me financimin e fushatave zgjedhore dhe shembull praktik nga raporti i revizorit me gjetjet dhe rekomandimet kryesore, mbajtën Sekretari i Përgjithshëm z. Aleksandar Popovski, këshilltarja e Kryerevizorit Shtetëror znj. Tanja Janevska dhe znj. Maja Jovanovska Cvetkovski, udhëheqëse e revizionit.
Në vijim të debatit u diskutuan roli mbikëqyrës i Kuvendit dhe i komisioneve, shqyrtimi dhe diskutimi i raporteve të revizionit në komisionet parlamentare, si dhe sfidat në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të revizionit, si dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm dhe formalizimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit, në drejtim të forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe besimit publik në institucionet.