ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT
- Njoftim për media -
Shkup, 16.12.2025
ESHR-ja konstatoi parregullsi të rëndësishme në punën financiare të SHA Lotaria Shtetërore dhe keqpërdorime të mundshme të mjeteve monetare në para në dorë
Me revizionin e kryer në SHA Lotaria Shtetërore për vitin 2024, janë konstatuar parregullsi serioze që lidhen me transaksionet e palogjikshme dhe joekzistuese, shkresa pa dokumentacionin financiar përkatës ose të mbështetura me dokumente të pabesueshme, për shkak të të cilave ekziston dyshimi për keqpërdorimin e mjeteve monetare, si dhe punën e paligjshme me arkën dhe llogaritë e pagesave.
Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e raporteve financiare së bashku me revizionin e përputhshmërisë së SHA për organizimin e lojërave të fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për vitin 2024, me ç'rast u përmbajt nga shprehja e opinionit mbi realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe shprehu opinionin e pavolitshëm mbi përputhshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara.
Me revizionin e kryer është konstatuar se në vitin 2024, tregu total i realizuar ditor, bazuar në shitjen e lojërave të lotarisë dhe lojërave elektronike të fatit në 10 pikat e veta të shitjes, është 46.039 mijë denarë (746.970 euro), por ai nuk është paguar rregullisht në llogaritë e pagesave në bankat afariste të shoqërisë, megjithëse në përputhje me rregullativën ligjore, personi juridik është i detyruar që të gjitha mjetet monetare nga tregu ditor të pranuara në para në dorë në çfarëdo baze t'i paguajë më së voni deri në ditën e ardhshme të punës në llogarinë e tij të pagesave.
Gjatë vitit 2024, shoqëria vetëm në dy raste bëri pagesa në emër të "tregut ditor", përkatësisht: në prill 2024, u paguan 36.364 mijë denarë dhe në fund të vitit 2024, u paguan 15.427 mijë denarë. Përveç kësaj, revizorët konstatuan se këto pagesa nuk ishin nga mjetet e pranuara monetare në para në dorë - "tregu ditor", por janë mjete që janë marrë si para në dorë nga njëra llogari dhe u paguan si tregu ditor në llogarinë tjetër të shoqërisë.
Situata e theksuar u bë e mundur për më shumë arsye. Pra, nuk ka praktikë të vendosur të mbahet libri i veçantë i arkës (ditari i arkës) për çdo ditë në të cilën është realizuar qarkullimi, me transaksionet e regjistruara sipas renditjes së ndodhjes, as të përgatitet dokumentacioni përkatës si konfirmim i transaksionit të kryer (dorëzimit të parave në dorë), prandaj nuk mundësohet ndjekja dhe evidentimi i tyre në momentin e ndodhjes dhe nuk ekziston kontrolli në tregun ditor të realizuar.
Në të njëjtën kohë, kontrollet e brendshme nuk janë vendosur në punën e përgjithshme të shoqërisë, dhe mbi të gjitha, mungon ndarja e kompetencave midis punonjësve dhe ndjekja dhe kontrolli i transaksioneve në procesin e shitjes dhe evidentimit të pagesave të qarkullimit ditore të shitjes.
Edhe pse në Rregulloren për Sistemimin e Vendeve të Punës të parashikuara dhe të plotësuara janë vendet e punës arkëtar dhe shef i Kontabilitetit në Sektorin e Financave dhe Kontabilitetit, pjesa më e madhe e aktiviteteve të punës që lidhen me pranimin dhe menaxhimin e parave në dorë, si dhe evidentimin e tyre të kontabilitetit, kryheshin nga një person - drejtori i Sektorit të Financave dhe Kontabilitetit. Kësaj i bashkëngjitet edhe rrethana që në shoqërinë nuk ka funksionuar revizioni i brendshëm, gjë që rezultoi në moszbulimin e aktiviteteve të palejuara dhe të paligjshme. E lartpërmendura shkakton menaxhim financiar jofunksional, e shkel disiplinën financiare dhe ngre dyshime për keqpërdorim të mundshëm të mjeteve monetare.
Revizorët shtetërorë konstatuan se drejtori i Sektorit të Financave dhe Kontabilitetit u pagoi drejtpërdrejt paradhënie për fitime të vogla një pjese të bashkëpunëtorëve afaristë (rreth 320 subjekteve juridike me marrëveshje bashkëpunimi) në shumën prej 13.971 mijë denarë, pa përdorur mënyrën e përcaktuar të pagesës përmes Master Dilerit[1].
Për pjesën më të madhe të këtyre transaksioneve, në shumën prej 13.054 mijë denarë, janë dorëzuar dokumente të parregullta dhe të pavlefshme ose nuk janë dorëzuar fare dokumente, prandaj ekziston pasiguria në lidhje me vërtetësinë e ngjarjeve të evidentuara. Ka raste në të cilat bashkëpunëtorëve afaristë u janë paguar mjete monetare, edhe përmes arkës, edhe përmes Master Dilerit në të njëjtën ditë, pa shpjegimin logjik për arsyet dhe nevojën e kësaj mënyre të veprimit.
Për të dalat e evidentuara (36.465 mijë denarë) dhe të hyrat e mjeteve monetare (7.897 mijë denarë) në para në dorë, bazuar në paradhëniet e dhëna dhe të kthyera për pagesën e fitimeve të vogla në pikat e veta të shitjes, revizorët konstatuan se dokumentacioni mbështetës është kontestues dhe i pabesueshëm. Për të konfirmuar këtë situatë, revizorët siguruan deklarata nga punonjësit e shoqërisë, të cilët pretendonin se për shumat e deklaruara nuk ishin marrë, as nuk ishin kthyer paradhënie në Sektorin e Financave dhe Kontabilitetit, gjë që tregon dyshime për parregullsitë që lidhen me keqpërdorimin e mundshëm të mjeteve monetare, si dhe punën e paligjshme me arkën dhe llogaritë e pagesave.
Përmes inspektimit të librave tregtarë të shoqërisë, analizës së informacioneve të marra nga sistemi qendror online për pagesat e kryera nga shitja e lojërave të fatit të lotarisë, si dhe të dhënave nga platforma online me përmbajtje lojërash për organizimin e lojërave të fatit online, u konstatuan shënime joreale dhe të pajustifikuara të kontabilitetit për transaksionet jologjike mbi më shumë baza, në shumën totale prej 122.490 mijë denarë, përkatësisht 1.987.377 euro, për shkak të së cilës ekziston dyshimi për keqpërdorimin e mjeteve publike të lartpërmendura.
Në vitin 2024, instant lotaria është përfaqësuar me 12 lloje të ndryshme të instant biletave me fitime në para dhe sende. Revizorët theksojnë se shuma e evidentuar e fondit të papaguar të fitimeve të instant lotarisë në kontabilitet është 63.294 mijë denarë më e ulët krahasuar me shumën e marrë sipas sistemit qendror online, gjë që nuk është në përputhje me rregullat e lojës, vë në pikëpyetje mundësinë e pagesës së fitimeve në të ardhmen dhe e rrezikon integritetin e Lotarisë Shtetërore.
Për 3 instantë me fitime në sende (banesa, automjete dhe skutera elektrikë), revizorët konstatuan se:
- nuk ka evidencë të vendosur të kontabilitetit për fitimet e marra, me mundësinë e përvetësimit të pabazuar;
- prokurimet janë bërë 2-15 muaj para miratimit të rregullave nga Ministria e Financave, gjë që rezultoi në shpenzimin e mjeteve parakohe dhe
- nuk janë evidentuar shpenzimet për prokurimin e sendeve në shumën prej 35.395 mijë denarë për vitin 2024 dhe 37.424 mijë denarë për vitin 2023, ndërsa për një rast, nuk janë deklaruar detyrimet në shumën prej 23.264 mijë denarë.
Gjatë vitit 2024, Lotaria Shtetërore evidentoi shpenzime për reklama, propagandë, promovim dhe panaire në shumën prej 220.823 mijë denarë, ose 3.582.811 euro. Në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, këto shpenzime kanë shënuar rritje të vazhdueshme, përkatësisht në vitin që është lëndë e revizionit, ato kanë qenë 10 herë më të larta krahasuar me vitin 2020.
Shpenzimet për reklama, propagandë, promovim dhe panaire në pesë vitet e fundit (në 000 denarë)
Me inspektimin e kryer në librat tregtarë të shoqërisë, në procedurat për zbatimin e thirrjeve publike për qira të hapësirës mediatike dhe marrëveshjeve të dhëna për prokurimet publike për marketing dhe realizimin e tyre, u konstatuan parregullsi në shumën totale prej 73.406 mijë denarë. Parregullsitë, para se gjithash, kanë të bëjnë me mungesën e dispozitave të sakta në marrëveshjet e lidhura mbi mënyrën e kryerjes së monitorimit dhe njoftimit mbi realizimin e shërbimit, por edhe për praktikën e vendosur që mos të sigurohet dokumentacioni mbështetës për të konfirmuar shërbimin e kryer të përcaktuar me marrëveshjet (media-plane dhe/ose raporte mbi shërbimet e kryera të nënshkruara nga personat e autorizuar nga të dyja palët kontraktuese, fatura pa përshkrimin e detajuar të shërbimit, etj.). Vërejtje mbi këtë bazë konstatoi edhe DAP-ja pas kontrollit të kryer të jashtëm në vitin 2024. Në bazë të së theksuarës më sipër, revizorët në raport shprehën dyshimin në lidhje me justifikimin e një pjese të shpenzimeve për shërbimet e marketingut.
Evenimenti i organizuar - Fan Zona Euro 2024
për të cilin u paguan 14.109 mijë denarë dhe për të cilin ka dyshime në lidhje me justifikimin e mjeteve monetare të shpenzuara
Revizorët konstatuan edhe raste të tjera në të cilat nuk është e mundur të konfirmohet plotësisht përdorimi me dedikim dhe racional i mjeteve publike për aktivitetet e marketingut. Sipas informacionit të marrë nga televizioni nacional në të cilin u transmetuan emisionet argëtuese, gjatë sezoneve 2023/2024 dhe 2024/2025, u transmetuan gjithsej 70 emisione, ndërsa 8 emisione për të cilat u paguan gjithsej 2.723 mijë denarë nuk iu dorëzuan shoqërisë, prandaj revizorët nuk ishin të bindur se ato ishin përgatitur.
Në të njëjtën kohë, shoqëria pagoi 3.584 mijë denarë më shumë për përgatitjen e 28 emisioneve argëtuese për Lotarinë Shtetërore. Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe në prokurimin e shërbimeve nga agjencia për organizimin e takimeve afariste dhe korporative, ku revizorët konstatuan se për shumën e paguar prej 2.580 mijë denarë, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit mbështetës përkatës, nuk u sigurua llogaridhënia dhe transparenca në realizimin e marrëveshjes dhe nuk ishte e mundur të konfirmohej se takimet ishin organizuar për nevojat e shoqërisë dhe lidhen me punën e saj.
Gjatë vitit 2024 është prokuruar pajisja (pajisja kompjuterike dhe komunikimit, televizorë për pikat e shitjes së bashkëpunëtorëve afaristë, sistemi i mbikëqyrjes me video, sistemi për ndjekjen dhe kontrollin e automjeteve me pajisjet GPS/GPRS, terminalet e lotarisë dhe pajisja e lotarisë, kondicionerët e ajrit me saktësi të lartë dhe kondicionerët e ajrit me kasetë në tavan, pajisjet UPS për furnizimin e vazhdueshëm dhe agregati elektrik automatik dizel) në shumën totale prej 26.620 mijë denarë, pa dokumentacionin përkatës për pranimin cilësor dhe sasior të tyre.
Një pjesë e pajisjeve të pranuara në shumën prej 15.387 mijë denarë nuk korrespondon me performancat e theksuara në specifikimin teknik të marrëveshjeve të lidhura, si dhe me pajisjen e evidentuar në kontabilitet.
|
Pajisja e prokuruar që nuk u përgjigjet performancave të dokumentacionit të tenderit |
Situata e mësipërme u konstatua edhe nga regjistrimi i kryer për vitin 2024, i cili konstatoi edhe mungesë të së njëjtës pajisje (televizorë për pikat e shitjes së bashkëpunëtorëve afaristë, sistemin e mbikëqyrjes me video dhe një pjesë të pajisjeve kompjuterike dhe komunikimit) në shumën prej 3.722 mijë denarë.
U konstatuan parregullsi edhe në menaxhimin dhe përdorimin e objekteve të marra me qira, përdorimin joracional të mjeteve publike për qira, rindërtimin dhe rinovimin e tyre, si dhe mungesën e evidencës së kontabilitetit për investimet në mjetet e të tjerëve.
Shpenzimet totale të përcaktuara të qirasë në vitin 2024 janë 71.168 mijë denarë, nga të cilat 47% (33.476 mijë denarë) janë në bazë të qirasë së hapësirës afariste për pikat e veta të shitjes dhe magazinat. Rezultatet e analizës së zbatuar të këtyre shpenzimeve për periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024 tregojnë se ato janë vazhdimisht në rritje dhe janë pothuajse trembëdhjetë herë më të larta krahasuar me vitin 2020.
Për tre hapësira afariste në Dellçevë, Veles dhe Aerodrom, megjithëse janë paguar qira në shumën totale prej 5.339 mijë denarë (në vitin 2024, 3.289 mijë denarë), ato nuk janë përdorur nga Lotaria Shtetërore, prandaj marrëveshjet janë ndërprerë gjatë vitit 2025.
Revizorët zbulojnë se për hapësirat afariste në Dellçevë dhe Veles është kryer rindërtimi dhe renovimi në shumën prej 11.628 mijë denarë, por meqenëse mjetet monetare nuk janë paguar, ka filluar procedura gjyqësore nga furnizuesi.
Për këto aktivitete në tetor 2024 është bërë vlerësimi nga vlerësuesi i autorizuar, dhe më pas në maj 2025, është kryer ekspertiza, me ç'rast vlerësuesi i autorizuar për 4.239 mijë denarë ka konstatuar shumë të paarsyeshme më të lartë për situatën e përkohshme, si dhe një sërë parregullsish në kryerjen e punëve, ndërsa shumë e paarsyeshme më e lartë për 9.631 mijë denarë për të njëjtën situatë të përkohshme është konstatuar edhe në Gjetjen dhe Mendimin e lëshuar të Ekspertit.
Në periudhën nga korriku 2023 deri në tetor 2024, për dhënien me qira të hapësirave të zyrave dhe magazinimit të shoqërisë, u lidh marrëveshja për dhënien me qira të hapësirave administrative dhe afariste në Vizbeg me sipërfaqe prej 2.426 m2, qiraja mujore prej 25.764 euro ose shumën totale prej 3.091.680 euro duke përfshirë TVSH-në për periudhë prej 10 vjet. Për këtë hapësirë afariste janë paguar gjithsej 24.647 mijë denarë (400 mijë euro)[2], megjithëse hapësira nuk u përdor për pesë muaj në vitin 2023. Kjo hapësirë u përdor si magazinë për ruajtjen e terminaleve të video-lotarisë dhe pajisjeve të tyre periferike nga janari deri në tetor 2024.
Me qëllim që kjo hapësirë afariste të përshtatet në seli të re të Drejtorisë së Lotarisë Shtetërore, në mars të vitit 2024, u lidh marrëveshja me personin juridik për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe revizionin e dokumentacionit të projektit për rindërtimin dhe rinovimin e hapësirës afariste, për të cilën u paguan 4.248 mijë denarë. Në vitin 2024, ishte planifikuar edhe procedura për prokurimin e punimeve, mallrave dhe shërbimeve për rindërtimin dhe rinovimin e selisë së re të shoqërisë, me vlerë të parashikuar prej 80.000 mijë denarë, por procedura në gusht 2024 ishte anuluar për shkak të lëshimeve dhe mangësive të konsiderueshme në dokumentacionin e tenderit dhe specifikimin teknik. Një muaj më vonë, shoqëria e ndërpreu në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e qirasë.
Sipas të dhënave të SEPP-së, në vitin 2024, 54,1% të procedurave të prokurimeve publike të shoqërisë janë me një ofertë të dorëzuar dhe 4,9% të procedurave me një ofertë të pranuar nga më shumë të parashtruar, gjë që tregon mungesën e konkurrencës midis operatorëve ekonomikë në procedurat.
Gjatë revizionit u reviduan 21 procedura, që janë 82% të detyrimeve totale të ndërmarra të shoqërisë që janë lëndë e Ligjit për prokurime publike (831.151 mijë denarë). Pjesa më e madhe, ose 17 procedura u zbatuan si marrëveshje kornizë të lidhura me një operator ekonomik, megjithëse një pjesë e tyre u realizuan plotësisht brenda periudhës së shkurtër kohore pas lidhjes së marrëveshjeve.
Në 16 procedura, prokurimet u zbatuan si të pandashme, megjithëse u plotësuan kushtet për zbatimin e tyre si procedura të ndashme.
Në kuadër të 3 procedurave për prokurimin publik të shërbimeve nga agjencitë e marketingut, revizorët konstatuan në të njëjtën kohë ishin prokuruar mallrat e dedikuara për fitimet në sendet për lojërat shpërblyese (automjete, telefona, laptopë dhe udhëtime luksoze). Duke pasur parasysh se agjencitë e marketingut nuk janë organ kontraktues në përputhje me Ligjin për prokurime publike, kjo mënyrë e prokurimit të mallrave dhe shërbimeve përbën shmangie të zbatimit të dispozitave dhe parimeve të ligjit të lartpërmendur.
Në 11 procedura nga totali i mbuluar nga revizioni, ishte parashikuar të përdorej kriteri i ofertës ekonomikisht më të volitshme, që do të thotë se përveç çmimit, do të vlerësohej edhe cilësia e ofertës, me ç'rast nuk ishin përcaktuar kriteret cilësore në bazë të së cilave do të bazohet vlerësimi i cilësisë.
Revizorët theksojnë në raport se për vitin afarist 2024, personi udhëheqës i shoqërisë ka lidhur kontrata në vepër për kryerjen e punëve të përkohshme me gjithsej 195 persona, nga të cilët 75 persona nuk kanë ardhur në punë dhe nuk kanë kryer detyra pune, ndërsa për ta janë paguar në mënyrë të paligjshme dhe jo me dedikim 14.911 mijë denarë, përkatësisht 241.928 euro.
Parregullsitë dhe paligjshmëritë u konstatuan edhe në shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit në shumën totale prej 6.041 mijë denarë, me ç'rast për një pjesë të tyre u paguan shtesa edhe pse ato nuk ishin realizuar (3.331 mijë denarë) ose ishin paguar pa dokumentacion që konfirmonte shpenzimin (2.710 mijë denarë). Në këto shpenzime përfshihen edhe shpenzimet për reprezantim, vizita e institucioneve kulturore, prokurimi i rrobave për përdorim personal, suvenire, etj., në shumën totale prej 3.092 mijë denarë. Një pjesë e shpenzimeve për reprezantim justifikohen në bazë të dokumenteve të pabesueshme. Parregullsitë e ngjashme u konstatuan edhe në shpenzimet për mirëmbajtjen e automjeteve dhe prokurimin e karburantit në shumë prej 985 mijë denarë.
Në raport theksohen edhe situatat e tjera të konstatuara që kanë të bëjnë me evidencën materiale dhe të kontabilitetit të mbajtur në mënyrë joadekuate dhe të pasaktë, regjistrimin e kryer në mënyrë të paplotë të mjeteve, detyrimeve dhe kërkesave, pronën dhe mjetet e pasiguruara të shoqërisë nga zjarri dhe fatkeqësitë e tjera elementare, revizionin e pakryer të raporteve financiare me raportin vjetor për punën e shoqërisë për vitin 2024 dhe situatat e tjera.
Revizorët në raport theksojnë për:
- aktivitetet e ndërmarra për të ndërprerë punën e shoqërive tregtare për organizimin e lojërave elektronike dhe lojërave të fatit në internet, në të cilat Lotaria Shtetërore ka depozitë jomonetare,
- pasigurinë në lidhje me periudhën kur terminalet e prokuruara të video-lotarisë për organizimin e lojërave elektronike të fatit në shumën prej 596.128 mijë denarë (9.700.000 euro), mund të vihen në përdorim, për shkak të së cilës ekziston rreziku i parashkrimit të tyre teknologjik;
- huat e dhëna shoqërive aksionare në pronësi shtetërore dhe ndërmarrjes publike në pronësi komunale në shumën totale prej 252.542 mijë denarë, përkatësisht 4.097.446 euro dhe
- situata të tjera.
Për të gjitha parregullsitë dhe dobësitë e konstatuara, Enti Shtetëror i Revizionit u dha rekomandime konkrete personave dhe organeve kompetente për largimin e tyre dhe për përmirësimin e punës financiare dhe materiale të shoqërisë.
E konsiderojmë të nevojshme të theksojmë se parregullsitë e konstatuara, përdorimi i paligjshëm i mjeteve dhe dyshimi i shprehur për punën e paligjshme të subjektit që është lëndë e revizionit, janë njoftuar organet kompetente për veprimin e mëtejshëm.
Pres-kontakt:
Albiona Mustafa Muhaxhiri +389 72 228 203 [email protected]
Mijallçe Durgutov +389 70 358 486 [email protected]
Martin Duvnjak +389 75 268 517 [email protected]
[1] Personi juridik me të cilin shoqëria ka lidhur marrëveshje, ndër të tjera, edhe për shpërndarjen e mjeteve monetare në para në dorë deri në 320 bashkëpunëtorë afaristë
[2] në dhjetë muaj në vitin 2024 u paguan 15.856 mijë denarë