ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT
- Njoftim për mediumet-
Shkup, 05.05.2026
Ndërtimi i një pjese të objekteve kapitale pa lejet e nevojshme dhe dokumentacionin e duhur të ndërtimit
Nuk është kryer evidentimi i duhur i pasurisë së komunës dhe nuk janë ndërmarrë veprime për regjistrimin e së drejtës së pronësisë. Ndërtimi i rrugëve dhe rrugicave lokale është bërë pa leje ndërtimi, rikonstruksioni i objekteve infrastrukturore pa dokumentacion projektues, ndërsa shpërndarja e mjeteve për kulturë dhe sport nuk është kryer në mënyrë transparente.
Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizion të raporteve financiare, së bashku me revizionin e pajtueshmërisë, në Komunën Ilinden për vitin 2024.
Revizioni konstatoi gjendje që tregojnë për parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e komunës. Për shkak të rëndësisë së tyre, është shprehur opinion i pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe opinion me rezervë për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogarinë e buxhetit themelor (630), dhe opinion i pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogarinë e buxhetit themelor (637).
Me revizionin e kryer konstatuam se struktura sipas moshës e kërkesave nuk është përcaktuar, nuk është bërë harmonizimi i vlerës për 57.520 mijë denarë kërkesa nga vitet e kaluara për të cilat ekziston pasiguri në arkëtim, ndërsa evidenca tatimore dhe ajo kontabël nuk janë të harmonizuara për 39.977 mijë denarë, përkatësisht 648.000 euro.
Kërkesat mbi bazë të kompensimit për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje dhe për rregullimin e tokës ndërtimore evidentohen në momentin e arkëtimit, në vend që të evidentohen në momentin e krijimit të tyre. Për më tepër, nuk janë evidentuar kërkesa për kompensim për mirëmbajtjen e pastërtisë publike, si dhe mbi bazë të penaliteteve kontraktuale për ndërtimin e objekteve në tokë ndërtimore të pashfrytëzuar në pronësi të shtetit.
Vlera e tregut e pasurisë së paluajtshme nuk është përcaktuar në mënyrë të duhur, të dhënat në regjistrin e pasurisë së paluajtshme nuk janë të përditësuara, nuk llogaritet kamatë për pagesë të vonuar, nuk është vendosur mekanizëm për arkëtim të detyrueshëm të tatimit në pronë ndërsa tatimpaguesit që kanë fituar pasuri shtesë ose të re nuk ngarkohen në mënyrë adekuate.
Te kontratat për tjetërsimin e tokës ndërtimore të pashfrytëzuar në pronësi të shtetit, nga ana e blerësve nuk respektohen afatet e dakorduara për ndërtim, ndërsa deri në vitin 2023 nuk janë llogaritur dhe arkëtuar penalitete ndëshkuese.
Në procedurat për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje nuk respektohen afatet ligjore, nuk është vepruar sipas vendimeve të këshillit për miratimin e dokumentacionit të planifikimit urban, me qëllim përfshirjen e objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa për objektet për të cilat janë marrë vendime refuzuese nuk janë ndërmarrë masa për heqjen e tyre.
Në territorin e Komunës Ilinden vendoset pajisje urbane dhe ushtrohet veprimtari gastronomike jashtë objekteve afariste pa leje të lëshuara, me ç’rast nuk janë realizuar të ardhura mbi bazë të taksës komunale për shfrytëzimin e hapësirës.
Pajisje urbane të vendosura
Pasuria e komunës (mjete jomateriale, toka dhe objektet ndërtimore) nuk është evidentuar në mënyrë adekuate dhe ekziston mosharmonizim i gjendjes në disa zëra të bilancit.
Për investimet kapitale mbi bazë të rikonstruksionit në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit dhe kanalizimit atmosferik, nuk janë ndërmarrë veprime për regjistrimin e të drejtës së pronësisë.
Registrimi i mjeteve dhe detyrimeve nuk është kryer në mënyrën e parashikuar në dispozitat ligjore dhe nënligjore.
Gjatë ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve lokale, rrugëve, terreneve sportive dhe pajisjeve urbane në Komunën Ilinden, në vlerë totale prej 98.385 mijë denarë (afërsisht 1.594.500 euro), konstatuam dobësi në lidhje me: kryerjen e punimeve ndërtimore pa leje ndërtimi, rikonstruksionin e objekteve infrastrukturore lineare pa projekt të miratuar, urdhrat e punës që nuk përmbajnë elemente thelbësore (specifikime teknike, sasi, çmime njësi dhe afate të realizimit), kryerjen e punimeve që nuk janë parashikuar në urdhrat, si dhe mungesën e llogaritjeve përfundimtare dhe dokumentacionit ndërtimor të miratuar në mënyrë të rregullt.
Rikonstruimi i rrugëve
Terren sportiv në vendbanimet Delejadrovci dhe Bujkovci
Aktivitetet programore në fushën e kulturës dhe sportit janë realizuar pa shpallje publike ose publikim në faqen e internetit të komunës dhe pa kritere dhe kushte të qarta e të sakta të përcaktuara paraprakisht për shpërndarjen dhe shfrytëzimin e mjeteve në shumën prej 1.334 mijë denarë.
Janë konstatuar parregullsi në llogaritjen e pagave për nëpunësit administrativë, në pjesën e bazës për përllogaritjen e stazhit të punës dhe gjatë periudhës së paaftësisë së përkohshme për punë për shkak të sëmundjes.
Gjithashtu janë konstatuar parregullsi edhe në procedurat për dhënien e kontratave për prokurimet publike.
Në drejtim të tejkalimit të gjendjeve të konstatuara, revizioni ka dhënë rekomandime me qëllim ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga personat dhe organet përgjegjëse në funksion të përmirësimit të gjendjes.
Press kontakt:
Albiona Mustafa Muhaxhiri +389 72228 203 [email protected]
Martin Duvnjak +389 75 268 517 [email protected]