dzr
ENTI SHTETËROR
I REVIZIONIT
GUARDIAN I FONDEVE PUBLIKE

Enti Shtetëror i Revizionit ka filluar procesin për përgatitjen e dokumenteve të reja strategjike

20.04.2026

Në periudhën nga 15 deri më 17 prill 2026, në Oslo, delegacion i lartë i Entit Shtetëror të Revizionit, i udhëhequr nga Kryerevizori shtetëror mr. Maksim Acevski, së bashku me bashkëpunëtorët e tij dhe të punësuarit në ESHR, mori pjesë në punëtori strategjike të dedikuar për përgatitjen e dokumenteve të reja strategjike të ESHR.

Punëtoria u organizua nga Zyra Kombëtare e Revizionit e Norvegjisë, si pjesë e aktiviteteve të përcaktuara me dokumentin e projektit në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit.

Në punëtori morën pjesë përfaqësues të lartë dhe ekspertë nga Zyra Kombëtare e Revizionit e Norvegjisë, të udhëhequr nga Kryerevizori Karl Eirik Schjøtt-Pedersen, si dhe ekspertë nga INTOSAI Development Initiative, të cilët prezantuan qasjet dhe mjetet bashkëkohore për planifikim strategjik (SPMR), si dhe kornizën për matjen e performancës së institucioneve supreme të revizionit (SAI PMF – Supreme Audit Institutions Performance Measurement Framework)

Qëllimi i punëtorisë ishte, nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave të mira, të sigurohet mbështetje në përcaktimin e qasjes për hartimin e strategjisë së re të zhvillimit të Entit Shtetëror të Revizionit, e cila do t’u përgjigjet prioriteteve dhe sfidave të ardhshme në funksionim.

Në kuadër të punëtorisë u shqyrtuan çështje të lidhura me procesin e zhvillimit të strategjisë, përfshirë përcaktimin e objektivave, indikatorëve të matshëm, rezultateve dhe efekteve, zbatimin e tyre, monitorimin dhe raportimin për realizimin, si dhe planifikimin strategjik në fusha të veçanta, duke përfshirë burimet njerëzore, komunikimet, teknologjitë informative dhe revizionin.

Theks i veçantë iu kushtua përvojës së Zyrës Kombëtare të Revizionit të Norvegjisë në procesin e planifikimit strategjik, si dhe rëndësisë së harmonizimit ndërmjet strategjisë së zhvillimit dhe strategjive shoqëruese, me qëllim sigurimin e funksionimit institucional efektiv dhe të qëndrueshëm.

Punëtoria u realizua përmes sesioneve interaktive, prezantimeve dhe punës në grup, që mundësoi shkëmbim aktiv të përvojave dhe ideve, si dhe diskutim konstruktiv për drejtimet e ardhshme të zhvillimit të Entit Shtetëror të Revizionit.

Kjo veprimtari paraqet hap të rëndësishëm në procesin e përgatitjes së strategjisë së re të zhvillimit dhe strategjive shoqëruese të Entit Shtetëror të Revizionit, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale, përmirësimin e praktikave të revizionit dhe sigurimin më të lartë të transparence, llogaridhënies dhe efikasitetit në punën e ESHR-së, dhe me këtë do të kontribuojë drejt sigurimit të shërbimeve më të mira dhe më cilësore për qytetarët dhe menaxhimin me financat publike.